AlbanianSport.com 12/10/2021 13:25
ASNN – Pas Policisë së Shtetit, edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka bërë një njoftim për ndeshjen e sotme. FSHF dëshiron të njoftojë të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë të pranishëm mbrëmjen e sotme në Stadiumin “Arena Kombëtare” për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Poloni, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022” mbi orarin e hyrjes së tyre në stadium dhe mbi një pjesë të materialeve që nuk do të lejohen të mbahen me vete në stadium. Kështu, FSHF njofton se:
- Hyrja e tifozëve do të fillojë në ora 18:00.
- Të gjithë personat që janë të pajisur me biletë, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit si dhe nuk do të lejohen fëmijët nën moshën 16 vjeç, të cilët janë të pashoqëruar nga prindërit.
- Nuk do të lejohen disa sende si, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj
- Lejohet vetëm flamuri zyrtar shqiptar.
“Duke ju falënderuar për mbështetjen e pakufishme që i jepni gjithmonë ekipit Kombëtar shqiptar, shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe në mbështetjen tuaj të përhershme”, – përfundon njoftimi i shkurtër i organizmit që qeveris futbollin në vend.