Gjergj Vyshka 12.03.2015 18:55
Në takimin që ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka pasur dje në Prishtinë me homologun e saj, Kujtim Shala, që është zëvendëskryeministër dhe Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është diskutuar dhe thellimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë e Kosovës në Sport.
Sipas asaj që informon Agjencia Kosovare e Lajmeve www.kosovapress.com, ndërsa Shala e Nikolla kanë diskutuar për thellim të bashkëpunimit në fushën e sportit përmes shkëmbimit të përvojave të ndërsjella dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta në këtë fushë.
Ministri Shala e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sportit, duke e theksuar edhe faktin se, për arsye që të mos humbin kohë kot, shumë sportistë kosovarë marrin pjesë në ngjarje të ndryshme sportive ndërkombëtare nën emrin e Shqipërisë.
Ministri Shala gjithashtu e informoi ministren Nikolla për mbështetjen që jep MKRS-ja për fushën e sportit, përmes investimeve në infrastrukturë, përkrahjen e federatave dhe organizimeve të ndryshme sportive. Ai u shpreh se është i gatshëm që Kosova e Shqipëria ta thellojnë bashkëpunimin dhe të ndajnë përvojat e përbashkëta me qëllim të zhvillimit të sportit.
Ndërkaq, ministrja Nikolla e informoi ministrin Shala se është duke punuar në masivizimin e sportit në Shqipëri me qëllim edhe të edukimit të të rinjve. Ajo e çmoi bashkëpunimin që Shqipëria e Kosova kanë ndërmjet vete dhe u shpreh është e rëndësishme dhe me interes që dy vendet të kenë projekte konkrete të përbashkëta edhe në fushën e sportit, duke theksuar shkëmbimin e përvojave, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe prezantimit sa më konkurrues në arenën ndërkombëtare.