Gjergj Vyshka 26.11.2014 19:50
Pas dy takimeve radhazi në Prizren mes Komiteteve Olimpike të Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe Federatave sportive përmë shumë bashkëpunim të ndërsjellët, tashmë një gjë e tillë sivjet do të bëhet në Tiranë. Kështu ka lajmëruar Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa takimi mes federatave do të bëhet më 6 dhjetor, ora 11:00, në resortin “Te Stela”, ndërsa ky është i treti radhazi për një sport të bashkuar Shqipëri-Kosovë.
“Pas realizimit me sukses të një nga qëllimet e takimit të kaluar, që ishte lobimi për anëtarësimin e federatave kosovare në federatat ndërkombëtare dhe Komitetit Olimpik të Kosovës në IOC, ju informojmë se këtë vit takimi i përbashkët do të zhvillohet në kuadrin e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet federatave respektive për rritjen e numrit të aktiviteteve të përbashkëta”, – thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa është kërkuar informacion nga të gjitha federatat sportive për takimet e përbashkëta që kanë bërë gjatë vitit 2014.
Përgjithësisht në mundje, boks, qitje, not, volejboll dhe disiplina të tjera aktivitetet kanë qenë të përbashkëta si për pavarësinë e Kosovës në shkurt, ashtu sikurse dhe tani në fund të nëntorit për pavarësinë e vendit tonë dhe 70-vjetorin e Çlirimit të vendit. Mbi bazën e këtyre të dhënave dhe fotove, ndërsa federatave u është vënë afati i fundit më 1 dhjetor 2014, do të ndërtohet dhe një material prezantues për këtë takim. Kështu Shqipëri-Kosovë pas aktiviteteve sportive, tashmë do të ketë dhe një bashkëpunim më të madh mes Federatave pse jo në krijimin e ligave të përbashkëta në disiplina të ndryshme sportive, sepse të dyja palët kanë nevojë për rritjen cilësore duke marrë përvojën e njëri-tjetrit.