AlbanianSport.com 08.11.2016 15:30
ASNN – Reshjet e mëdha që kanë rënë dhe që pritet të bien, por mbase edhe çështjet e sigurisë kanë bërë që stadiumi i ndeshjes Shqipëri-Izrael, të ndryshojë adresë. Tanimë, takimi i 12 nëntorit 2016 nuk do të luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, por në Stadiumin “Elbasan Arena”. Ndonëse një gjë e tillë nuk është konfirmuar fillimisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka qenë homologia e saj, Federata Izraelite e Futbollit, e cila ka pohuar zhvendosjen e ndeshjes.
Në një postim në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Federata Izraelite ka konfirmuar se ka dhënë miratimin e saj për ndryshimin e stadiumit, nga ai i Shkodrës, tek ai i Elbasanit. Më pas, ka ardhur edhe konfirmimi nga FSHF-ja, e cila, në një njoftim të shkurtër të botuar në faqen e saj zyrtare në Internet, ka sqaruar se “Ndryshimi i stadiumit për arsye sigurie është konfirmuar me një shkresë zyrtare të mbërritur nga FIFA”.
Kujtojmë këtu se për shkak të kushteve atmosferike në Shkodër, edhe takimi i 5 shtatorit me Maqedoninë, u ndërpre në çerekorën e fundit të tij, për të vazhduar të nesërmen. Duke patur parasysh kushtet aktuale të motit, duket se ndryshimi i stadiumit është bërë pikërisht për t’i paraprirë përsëritjes së një gjëje të tillë.