Gjergj Vyshka 12.10.2014 12:25
As më pak e as më shumë, por Ermir Lenjani është zbulimi i De Biazit për ndeshjen me Danimarkën. Nëse të gjithë kanë pritur që Bala të bënte përsëri mrekullinë e ndeshjes me Portugalinë, këtë herë gjithçka ka ardhur nga Lenjani. Ka tentuar të “vjedhë” penalltinë, ka shënuar, por ka mbajtur gjithnjë në ankth mbrojtjen daneze, e cila, hera-herës, edhe duke u kujdesur për sulmin, rezultonte dhe me forca mangët.
Mund të kishte shënuar përsëri. Megjithatë dje ka qenë njeriu i ndeshjes për kuqezinjtë. Në krahun tjetër, mbrojtësi i djathtë i kuqezinjve, Andi Lila, nuk ka qenë ditën e tij më të mirë. Ndoshta dhe për faktin se ka pasur shumë punë, ashtu sikurse dhe të tjerët, për të shmangur valën e sulmit të danezëve, nuk është parë asnjëherë të dalë përpara për të ndihmuar skuadrën.
Në pjesën e dytë, teksa ka hyrë Rama, vetvetiu ka dalë dhe qendër të mesfushës duke mos gjetur pozicionin e tij. Për arsye të forcimit të mbrojtjes është zëvendësuar me Currin, megjithëse De Biazi duhet të kishte freskuar më shpejtë ekipin në mënyrë që forcat të balancoheshin dhe tanët të mos dorëzoheshin dhjetë minuta përpara fundit të lojës.