AlbanianSport.com 09/11/2021 21:40
ASNN – Ndryshim tek lista e Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve. Tedi Cara është i dëmtuar, e zëvendëson Arinaldo Rrapaj. Kombëtarja kuqezi e Nën-21-vjeçarëve vazhdon përgatitjet në kuadër të dy ndeshjeve të radhës në eliminatoret e “EURO 2023” të kësaj grupmoshe, ato ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, që të dyja këto sfida qp do të luhen në fushë të huaj.
Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore pasditen e hënës në fushën e “Olimpik Park” në Durrës. Gjatë pasdites i gjithë grupi është kompletuar dhe të gjithë lojtarët mbërritën në grumbullim. Një grup i vogël i përbërë nga lojtarët të cilët janë aktivizuar me klubet gjatë të dielës ka zhvilluar stërvitje të diferencuar, ndërsa pjesa tjetër është stërvitur rregullisht.
Sipas asaj që ka bërë të ditur Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), futbollisti Tedi Cara ka pasur probleme fizike dhe me të ardhur në grumbullim, u është nënshtruar ekzaminimeve përkatëse. Pas konsultave me stafin mjekësor të Shpresave kuqezi, u konkludua se Cara nuk mund të rikuperohet për këto dy ndeshje.
Kësisoj, stafi teknik vendosi që sulmuesi të largohet nga grumbullimi dhe në vend të tij është thirrur një tjetër futbollist i Partizanit, Arinaldo Rrapaj. Shpresat e Shqipërisë do të luajnë dy ndeshjet e radhës të Evropianit në fushë të huaj, fillimisht ndaj Sllovenisë, më 12 nëntor 2021, ndërsa 4 ditë më vonë, skuadra e Bushit do të luajë kundër Kosovës.