AlbanianSport.com 30/08/2021 18:40
ASNN – Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ka filluar ditën e diel grumbullimin për ndeshjen zyrtare eliminatore ndaj Republikës Ҫeke, në fushën e kësaj të fundit, të vlefshme për Grupin G të Eliminatoreve të Evropianit 2023 të kësaj grupmoshe. Kuqezinjtë janë në një grup me Anglinë, Republikën Ҫeke, Slloveninë, Kosovën dhe Andorrën. Nën-21-vjeçarët kuqezi tanë janë grumbulluar në qytetin e Elbasanit ku do të zhvillojnë edhe stërvitjet intensive nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi.
Lista e publikuar të premten nga Zyra e Shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka pësuar ndryshime, ashtu siç konfirmoi edhe trajneri Bushi në konferencën për shtyp të mbajtur një ditë më parë në Stadiumin “Arena Kombëtare”. Marko Molla, portieri i Bolonjës, ka pësuar një dëmtim dhe nuk do të jetë në këtë grumbullim pas konsultave me stafin mjekësor dhe, në vend të tij, është grumbulluar 17- vjeçari i Teutës, Endri Dema.
Anxhelo Ndreçka, mbrojtësi i krahut të majtë, për shkak të problemeve personale gjithashtu nuk i është bashkuar skuadrës dhe vend të tij ka mbërritur Ergi Goga nga skuadra e Erzenit. Mesfushori i Empolit, Kristjan Asllani, ka pësuar një dëmtim dhe stafi mjekësor kuqezi është në pritje të raportit të plotë mjekësor. Skuadra e Shpresave kuqezi do të qëndrojë deri më datë 3 shtator në qytetin e Elbasanit, aty ku do të stërviten me dy seanca në ditë.
Për të udhëtuar më pas drejt Republikës Ҫeke, aty ku më datë 6 shtator 2021, duke nisur nga ora 18:00, kuqezinjtë do të luajnë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre ndeshjet e dytë eliminatore. Në ndeshjen e parë për këtë rrugëtim eliminator, skuadra e trajnerit Bushi triumfoi 3-0 në fushë të huaj ndaj Andorrës.