AlbanianSport.com 25/03/2022 23:10
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-21-vjeçare ka zhvilluar këtë të premte ndeshjen e parë të muajit mars, atë ndaj Republikës Çeke, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2023-shit. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi u mundën me rezultatin minimal 0-1, me një autogol të shënuar nga Serxhio Kalaj, që në minutën e 35-të të takimit, që vendosi edhe fatin e kësaj loje. Trajneri Alban Bushi e nisi lojën me këtë formacion: Simoni, Mitaj, Kalaj, Marku, Ismajlgeci, Ndrecka, Çelhaka, Kraja, Karrica, Cara dhe Muçi.
Skuadra kuqezi shfaqet mirë në minutat e para të takimit, teksa në minutën e 17-të arrin të rrezikojë portën kundërshtare, ndërsa kërkon edhe një 11-metërsh pas pretendimit për një prekje topi me dorë, e më pas Cara gjuan topin, që pritet nga portieri çek. Kuqezinjtë këmbëngulur, por pa mundur të gjejnë rrugën e rrjetës. Në minutën e 35-të vjen edhe ndëshkimi nga skuadra mike, që përfiton në fakt nga një gabim i Serxhio Kalajt, i cili devijon topin në portë e tij, teksa po mundohej ta largonte atë nga zona.
Dy minuta më vonë, trajneri Bushi bën zëvendësimin e parë të detyruar, duke nxjerrë nga loja Marsel Ismajlgecin, i cili për shkak të një problemi fizik nuk mund të vazhdonte më lojën dhe hedh në fushë Armando Dobrën. Pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me një goditje dënimi nga ana e kuqezinjve, me Ernest Muçin, që nuk e ekzekutoi siç duhej. Me nisjen e gjysmës së dytë të lojës, Shqipëria është dukshëm më superiore, teksa kërkon me ngulm golin e barazimit. Angelo Ndrecka tenton fillimisht në minutën e 53-të me një goditje nga jashtë zone.
Por ai nuk arrin të gjejë dot kuadratin e portës. Pak minuta më vonë, është Ernest Muçi ai i cili tenton sërish, por portieri çek arrin të presë gjuajtjen e sulmuesit kuqezi. Në minutën e 62-të, Alban Bushi vendos të rifreskojë sulmin, duke hedhur në fushë Indrit Tucin dhe duke nxjerrë nga fusha Tedi Carën. Djaloshi që aktivizohet me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci nuk arrin dot të shtyjë një top drejt rrjetës pas pasimit të ardhur nga e djathta në zonë nga Bernard Karrica. Në krahun tjetër, miqtë rrezikojnë portën e Shpresave.
Por Simon Simoni pa dyshim është heroi i skuadrës kuqezi, me disa pritje të shkëlqyera që shpëtuan skuadrën nga dyfishimi i shifrave. Në minutën e 84-t, Bushi bën edhe dy zëvendësimet e tjera, me Bernard Karricën e Erdis Krajën që dalin nga fusha për t’i lënë vendin Roi Sylës dhe Eljon Toçit. Minutat e mbetura nuk mjaftojnë për të ndryshuar rezultatin e lojës, që përfundon me shifrat e fiksuara që në minutën e 35-të, 0-1, me një autogol të Serxhio Kalajt.