AlbanianSport.com 10/10/2018 20:55
ASNN – Përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, është mundur minimalisht, 0-1, nga Spanja 0-1, në ndeshjen e vlefshme për Eliminatoret e Evropianit të kësaj grupmoshe, që u zhvillua sonte në Stadiumin “Selman Stermasi” Tiranë. Ndeshja ka qënë në një nivel të mirë për kuqezinjtë, por pa mundur të marrin një rezultat pozitiv.
Pjesa e parë ka përfundur me rezultatin e bardhe 0-0 dhe goli i vetëm i kësaj ndeshje u shënua në minutën e 84-t nga Rafael Mir. Shqipëria e filloi ndeshjen me këtë formacion: Kastrati, Maloku, Toli, Tafa, Kryeziu, Laçi (Sahiti 88′), Bare, Doka, Muçolli (Mala 67′), Seferi (Zeka 83′), Vrioni. Kuqezinjte bëjnë pjesë në grupin e dytë eliminator dhe kjo ndeshje ishte e parafundit.
Ajo do të pasohet nga sfida e fundit zyrtare ndaj Estonisë, më datë 16 tetor 2018. Duke folur pas përfundimit të ndeshjes gjatë interesimit të medias, trajneri Alban Bushi tha: “Menduam të luanim bukur gjatë gjithë lojës, skuadra u lodh në fund të ndeshjes. Ndryshe nga ne, ekipi i Spanjës ka shumë mundësi zgjedhjeje, prandaj është një fitore e merituar nga ata.”
“Sa i përket grumbullimin të futbollistëve të të Nën-21-vjeçarëve nga trajneri Kristian Panuçi, më vjen mirë që po i shërbejmë ekipit kombëtar A, ku në ndeshjen miqësore të mbrëmshme ndaj Jordanisë luajtën 5 futbollistë që kanë shkuar nga Shpresat. Kemi edhe ndeshjen e fundit të eliminatoreve në Estoni, me 16 tetor, ku duhet të fitojmë”, – ka përfunduar trajneri i Shpresave, Alban Bushi.