AlbanianSport.com 21.02.2015 19:05
ASNN – Sipas asaj që bën të ditur Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një njoftimi të afishuar në faqen e saj zyrtare në Internet, trajneri i përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, Skënder Gega, do të zhvillojë duke nisur që nga e hëna, një “zbor” 3-ditor me lojtarët e kampionatit.
Kjo stërvitje, që nis të hënën dhe përfundon të mërkurën, do të zhvillohet në mjediset e resortit “Tropikal” në Durrës. Ajo që duhet bërë e ditur është fakti se ndeshja e parë e Eliminatoreve për Kampionatin Evropian “Poloni 2017” është më 30 mars 2015 në fushë të huaj me Lihtenshtejnin.
Ndërkohë që tek të thirrurit bie në sy talenti beratas i Apolonisë, Myrto Uzuni. Talenti i momentit në Kategorinë Superiore ka marrë kështu ftesën e shumëpritur nga Shpresat kuqezi. Futbollisti nga Berati i cili aktivizohet në Superiore me Apoloninë e Fierit po ecën kështu me hapa të mëdha drejt një karriere të madhe.
Tashmë është në dorën e tij të tregojë vlerat edhe me skuadrën e Skënder Gegës.
Ja lista e futbollistëve të thirrur nga Gega:
Marsel Caka (Tirana), Princ Cali (Kastrioti), Amir Rrahmani (Partizani), Bruno Lulaj (Skënderbeu), Liridon Latifi (Skënderbeu), Erjon Hoxhallari (Teuta), Jurgen Vatnikaj (Partizani), Klaudio Hysenaj (Teuta), Arlind Kalaja (Vllaznia), Dejvi Bregu (Flamurtari), Realdo Fili (Apolonia), Ardit Krymi (Vllaznia), Denis Pjeshka (Vllaznia), Esin Hakaj (Vllaznia), Myrto Uzuni (Apolonia), Rei Ujkashi (Elbasani), Fjoart Jonuzi (Teuta), Bruno Hoxha (Skënderbeu)