AlbanianSport.com 25/03/2021 20:10
ASNN – Redon Dragoshi, futbollisti tjetër i Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve, i cili luan me ekipin e Kukësit në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit u shpreh mjaft i lumtur që është grumbulluar nga trajneri Bushi dhe theksoi se ekipi ka shumë cilësi si dhe tha se në kampionatin shqiptar ka shumë talente. “Si fillim, jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kombëtares, – ka thënë ai. – Është ndjesi e veçantë për çdo futbollist të jetë pjesë e Kombëtares sepse është tjetër gjë nga klubi.”
“Ekipi ka shumë kualitet, ka shumë lojtarë nga Shqipëria që po rriten shumë, – ka vijuar futbollisti kuqezi. – Dhe shpresoj që t’i marrim të gjithëve maksimumin. Sa u përket futbollistëve të kampionatit shqiptar, mendoj që jemi një shembull i mirë, sepse kemi ngjitur çdo shkallë me ngadalë. Kjo do të thotë që edhe Kategoria Superiore ka shumë talente, ka shumë nivel si kampionat. Dhe besoj se është gjë e mirë për çdo futbollist që mund të luajë në Superiore si i ri, që të arrijë Kombëtaren.”
Po si e shikon Dragoshi ekipi lombëtar të Nën-21-vjeçarëve në prag të këtyre Eliminatoreve. “Mendoj që përveç Anglisë, të gjitha ekipet e tjera, janë ekipe, pak a shumë të të njëjtit nivel, me diferenca të vogla, – thotë futbollisti i verilidorëve. – Mendoj se do bëjmë mirë, pasi siç e thashë, ekipi ka shumë kualitet, ka shumë lojtarë cilësorë dhe shumica po aktivizohen edhe në klubet e tyre, që është shumë e rëndësishme për një lojtar Kombëtareje. Mendoj se do t’i arrijmë objektivat.”