AlbanianSport.com 06/09/2021 19:55
ASNN – Kuqezinjtë e Bushit pësojnë 3 gola brenda 32 minutash, e mbyllin ndeshjen me 10 lojtarë. Shpresat e Shqipërisë kanë pësuar një humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të grupit G të Eliminatoreve të Evropianit të Futbollit për Nën-21-vjeçarët, duke u mundur me shifrat 0-4 në Republikën Çeke përballë përfaqësueses vendase. Në fakt, fati i kësaj përballjeje është vendosur praktikisht që në gjysmëorën e parë, kur skuadra e Nën-21-vjeçarëve vendas ka realizuar 3 gola.
Ostrák e ka kaluar Republikën Çeke në epërsi që në minutën e 6-të, ndërsa 7 minuta më pas, Fila do të dyfishojë shifrat për vendasit. Duhet theksuar se, në të dy rastet, një pjesë e fajit për pësimin e golave ishte e portierit kuqezi, Marko Alia, i cili militon në Serinë C të futbollit italian me Monterosin. Ndërkaq, në minutën e 32-të, Daněk do ta çojë në 3-0 rezultatin në favor të skuadrës vendase, dhe me këto shifra do të mbyllet pjesa e parë e kësaj përballjeje.
Pjesa e dytë do të jetë më e qetë, me çekët të kënaqur me administrimin e epërsisë dhe me Shpresat të paaftë për gjetur golin që mund të rihapte ndeshjen. Detyra e skuadrës së trajnerit Alban Bushi bëhet më e vështirë në minutën e 71-të, kur Mitaj merr një tjetër karton të verdhë, i dyti për të brenda vetëm 7 minutash dhe del nga loja me karton të kuq, duke e lënë Shqipërinë me 10 lojtarë.
Dhe përfaqësuesja vendase e Nën-21-vjeçarëve e shfrytëzon këtë epërsi numerike dhe gjen edhe një gol të 4-t 7 minuta para fundit të kohës së rregullt, me anë të të futurit në pjesën e dytë, Shulc. Shpresat e Shqipërisë munden kështu 0-4 në përballë bashkëmoshatarëve të Republikës Çeke dhe tanimë e kanë hedhur vështrimin tek ndeshja e radhës, ajo e 7 tetorit në shtëpi me Andorrën.