AlbanianSport.com 14/12/2018 20:40
ASNN – Në një prononcim për mediat, trajneri i Kombëtares së Nën-21 vjeçarëve, Alban Bushi, ka analizuar grupin eliminator ku bën pjesë skuadra jonë, në kuadër të kampionatit të ardhshëm Evropian të kësaj moshe. Në analizën e tij Bushi pranon hapur se rivaliteti do të jetë mjaft i fortë dhe me Kosovën e kësja moshe, madje paralajmëron rivalitet ekstrem. “Ndjenjë e mirë që na ra Turqia në grup, – u shpreh trajneri Bushi, – me trajnerin e tyre jam mik.”
“Kosovën e prita si çdo ekip tjetër, do të luhet fort, – ka vijuar ai. – Janë 3-4 lojtarë që kanë zgjedhur Kosovën para nesh. Na thanë se do vinin me ne, por më pas vendosën ndryshe. Sidoqoftë, është zgjedhja e tyre. Ndeshja me Kosovën do të jetë e ashpër nuk diskutohet, jam unë i pari që kërkoj ashpërsi ndaj çdo ekipi. Nuk e kërkoj vetëm kundër Kosovës. Është si ndeshjet e tjera dhe duhet fituar.” Më tej trajneri i kombëtares së Nën 21-vjeçarëve, flet edhe për mundësitë e kualifikimit.
Ai ka vënë në pah se Anglia është rivali më i vështirë dhe ka shanse më të mëdha të zërë vendin e parë në grup. “Çdo gjë mund të ndodhë, – theksoi ish-sulmuesi i Kombëtares kuqezi, – Përveç Anglisë, që do të dalë në vend të parë. Por prapë nuk i dihet. Edhe Spanja na mundi në fund. Kemi një grup të mirë dhe shpresojmë të luajnë me ekipet. Duam që edhe Vrioni të vijë me ne. Do jetë pjesa më e madhe e lojtarëve që ishin edicionin e shkuar.”
“Shqipëria do të jetë një ekip shumë i fortë, madje edhe për Anglinë”, – ka shtuar Bushi, i cili shpreson që në këtë edicion të seleksionohen të rinj të tjerë të talentuar që do të bëhen pjesë e përfaqësueses A, pra skuadrës së Kristian Panuçit. “Vjet pas ndeshjes së 5-të, çuam 4 lojtarë tek ekipi i parë, – theksoi trajneri i Shqipërisë së Nën-21-vjeçarëve, – si Ramadani, Manaj, Ndoj Me ata mund të merrnin rezultate të mira. Është gjë e mirë që thirren atje, por është më mirë të forcohen këtu.”
“Por nuk i vë faj Panuçit, pasi edhe ai ka pasur shumë mungesa”, – vijoi trajneri i Shpresave të Shqipërisë. Shorti i hedhur para pak ditësh në Nion të Zvicrës e vuri përballë Shqipërinë e kësaj grupmoshe me rivalë të fortë, por edhe të pranueshëm si Anglia, Austria, Turqia, Kosova dhe Andorra. Ndeshjet Eliminatore të Europianit të 21-vjeçarëve do të nisin në mars të vitit 2019.