AlbanianSport.com 17/10/2018 20:45
ASNN – Stadiumi kombëtar i Anglisë, “Uembli” nuk do t’i shitet miliarderit amerikan me origjinë pakistaneze, Shahid Khan, i cili kishte ofruar 600 milionë stërlina angleze, apo thënë ndryshe 680 milionë Euro.
Mediat angleze saktësojnë se “Uembli” ishte nxjerrë në shitje dhe ishte bërë e qartë se miliarderi që është njëherësh pronar i Fulhamit në Premier Ligën Angleze, do ta blinte këtë stadium.
Por zyrtarët e Federatës Angleze të Futbollit dolën sot në konferencë shtypi dhe thanë se kanë organizuar sondazhe me tifozët, të cilët në masë dërrmuese ishin kundër shitjes së impiantit të tyre kombëtar.
Duke parë këtë situatë, Federata u tërhoq. Por, në të njëjtën kohë, duke parë mbase këtë kundërshtim të tifozëve, u tërhoq edhe vetë Khani, i cili gjithashtu nuk kishte siguri për blerjen e stadiumit sipas rregullave të përshtatshme.