Gjergj Vyshka 28/11/2014 16:05
Kampion & nënkampion Evrope, “tripletë” medaljesh nga elbasanasi, një ari dhe dy argjendi, peshëngritja një tjetër majë. Presidenti Gjoza: Ky do të jetë medalje e sigurt në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Shpërthen Hysen Pulaku, ndërsa peshëngritja shqiptare ka arritur një tjetër majë ndërkombëtare pas Botërorit të Kazakistanit. Elbasani i peshës 85 kg sot është nënkampion Evrope për Nën-23-vjeçarët, ndërsa është kthyer fuqishëm në podiumin e medaljeve. “Tripletë” e tij me medaljet, një artë dhe dy argjendi, ndërsa të gjithë janë ndjerë mirë me të.
Veçanërisht presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili në një koment të shpejtë për “Gazeta e Sportit” do të deklaronte se ky peshëngritës do të jetë një medalje e sigurt në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. “Është meritë e vet peshëngritësit, e stafit të trajnerëve që kanë punuar me të, e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për të gjitha politikat që ajo ndjek, por mbi të gjitha është dhe e Luan Shabanit”, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris shtangën kuqezi. – Një e artë dhe dy argjendi nga Hysen Pulaku të jeni të sigurt që sot do të pasohen dhe nga Aleks Kaçani dhe Shqipëria do të kthehet me 6 medalje.”
“Nga maja në majë ky sport nuk njeh limite, por do të jetë gjithnjë në podiumin e medaljeve”, – ka shtuar Gjoza. Ndoshta Pulaku mund të kishte dhe tre medalje të arta dje, ndërsa në shkëputje vetëm me një kilogram më pak se sa rusi Sajakov është në vendin e dytë. Tre prova të realizuara me sukses nga Pulaku në shkëputje, 155, 160 dhe 166 dhe medalje argjendi. Më pas “vallja” e shqipeve ka qenë në shtytje, atje ku Pulaku është i padiskutueshëm “kampion Evrope”. 195 në të parë, 203 në të dytë dhe tenton 207 kg për t’ia marrë medaljen e artë rusit Sajakov në dygarësh.
Por 207 kg nuk e ka bërë as rusi, ndërsa Pulaku është Kampion Evrope në shtytje falë peshës trupore më të lehtë se sa Sajakov. Pulaku ka qenë 1 kilogram e 700 gram më i lehtë se Sajakov. Ndaj dhe me 369 kg është nënkampion Evrope në dygarësh. Sikur të kishte realizuar 167 kg në shkëputje, sot do të ishte trefish Kampion Evrope. Megjithatë ky rikthim në podiumin e medaljeve tregon se pas probleme me dopingun më 2012-ën, Hysen Pulaku është kthyer fuqishëm.
Rezultatet teknike të peshës 85 kg Nën-23-vjeç
Shkëputje
1) Albert Sajakov (Rusi) 167 kg
2) HYSEN PULAKU (SHQIPËRI) 166 kg
3) Viktor Karshenko (Rusi) 163 kg
Shtytje
1) HYSEN PULAKU (SHQIPËRI) 203 KG
2) Albert Sajakov (Rusi) 203 kg
3) Antonis Martasidis (Greqi) 196 kg
Dygarësh
1) Albert Sajakov (Rusi) 370 kg
2) HYSEN PULAKU (SHQIPËRI) 369 KG
3) Viktor Karshenko (Rusi) 355 kg