AlbanianSport.com 03/12/2018 20:40
ASNN – Ish-trajneri i përfaqësueses kuqezi, Xhovani De Biazi, ka deklaruar së fundmi se shorti i Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të vitit 2020 për Shqipërinë në grupin H, është shumë më i pranueshëm se sa shorti që kishte Shqipëria që ai drejtonte pak vite më parë. Në atë edicion ishte Portugalia, kurse tani është Franca. Por në garën për vendin e dytë Shqipëria kishte Danimarkën dhe Serbinë, kurse këtë sezon ka Islandën dhe Turqinë.
Duke qenë se Franca është superiore në çdo drejtim, mbetet që Shqipëria të rivalizojë me turqit dhe islandezët. Pra logjika e De Biazit është e bazuar në parametrat sportivë të skuadrave. Në një intervistë që ka dhënë për mediat sportive shqiptare, ish-trajneri i përfaqësueses kuqezi, ka argumentuar qëndrimin e tij me cilësitë e skuadrave dhe paraqitjet e tyre të fundit. “Shqipëria mund të luftojë me shumë dinjitet në këtë grup dhe në këto Eliminatore për vendin e dytë, – shprehet De Biazi.
“Duhet besuar fort tek kualifikimi sepse grupi është realisht shumë më i mirë se në të kaluarën, – ka vijuar ai. – Sepse, përveç Francës, të tjerat nuk janë të pakalueshme. Natyrisht, kjo ndodh kur angazhohesh në çdo pëllëmbë të fushës dhe Shqipëria di të angazhohet si duhet kur është e motivuar dhe me besim në vetvete. E theksoj, Shqipëria duhet të besojë tek vendi i dytë dhe kualifikimi në Evropian, ne ishim në një grup më të fortë në Euro 2016.”
“Sepse në garën për vendin e dytë kishim Danimarkën dhe Serbinë, që ishin cilësisht më lart se Islanda dhe Turqia aktualisht, theksoi ish-trajneri kuqezi. – Me këto dy të fundit Shqipëria do të rivalizojë deri në ndeshjen e fundit. Me gjithë respektin, por unë besoj se Turqia dhe Islanda nuk janë në nivelin e të pamundurës, ato nuk janë në nivelin që kishte Danimarka dhe Serbia që i kishim në grup në Euro-2016. Islanda nuk e ka më atë forcën që kishte 2-3 vjet më parë, ka një rënie.”
“Kurse Turqia nuk ka një identitet të përcaktuar loje dhe nuk kuptohet filozofia e saj. Mendoj se me këtë grup, Shqipëria ka më shumë shanse sesa kishte në eliminatoret e Europianit të shkuar, pra në Euro-2016”, – përfundoi ish-trajneri italian i përfaqësueses së Shqipërisë, 62-vjeçari Xhovani De Biazi.