Adriatik Balla 26.07.2015 07:55
Shorti i hedhur dje në Shën Pjetërburg për Eliminatoret e Botërorit të vitit 2018, që do të zhvillohet në Rusi, ka dhuruar një surprizë të madhe për Kombëtaren shqiptare, e cila për herë të parë në një fazë eliminatore të një botërori do të përballet me Italinë, një ngjarje kjo historike për futbollin tonë të skuadrës përfaqësuese, por në të njëjtin grup, pikërisht grupin G, do të ndodhet edhe një prej skuadrave më të forta të botës, Spanja.
Një short i tillë është padyshim “grup ferri” për skuadrën përfaqësuese kuqezi, e cila ndodhet në grupin më të vështirë të mundshëm dhe goglat nuk u treguan aspak dashamirëse për Shqipërinë. Por gjërat duhen parë nga përfitimi financiar dhe në këtë pikë një short me Italinë dhe Spanjën në grup do të thotë më shumë fitime për Kombëtaren kuqezi.
Për më tepër që ajo është rritur ndjeshëm në cilësi dhe po bëhet një skuadër për t’u vlerësuar edhe në rangun e ekipeve të mëdha. Në grupin G, së bashku me Shqipërinë, është vendosur edhe Izraeli, Maqedonia dhe Lihetnshtejni. Përveç këtij të fundit, dy skuadrat e tjera janë cilësore dhe nuk duhen nënvlerësuar, për më tepër që ndaj Maqedonisë mund të quhet një derbi ballkanik.
Në kuadër të Eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”, ky short është mjaft i vështirë dhe Shqipërisë do t’i duhet një mrekulli të kualifikohet. Por në futboll gjithçka mund të ndodhë dhe Shqipëria e Xhovani De Biazit nuk është më e vogël, përkundrazi, është një ekip që po rritet nga viti në vit dhe ka bërë progres të madh, çka duhet marrë seriozisht edhe nga Italia dhe Spanja.
Me Lihtenshtejnin e vogël goglat na përplasin për herë të parë dhe kjo është një tjetër risi për shortin e këtij sezoni. Sa i takon Spanjës, Kombëtarja Kuqezi është përplasur disa herë në eliminatore të ndryshme dhe ndaj spanjollëve ka një bilanc shumë negativ. Megjithatë, ky short nënkupton se yjet e futbollit botëror do të zbarkojnë në Shqipëri. Në kuadër të eliminatoreve Elbasani dhe Shkodra do të presin ndeshjet e përfaqësueses dhe stadiumet e tyre do të kenë mundësinë të presin yjet e futbollit botëror.
Iniesta, Pedro, Isko e shumë të tjerë nga kombëtarja spanjolle, por edhe Ikardi, Ogbona, Baloteli, Verrati etj., nga përfaqësuesja italiane. Të gjithë këta yje do të kenë mundësinë të shihen të luajnë përballë kuqezinjve tanë në eliminatoret e ardhshme dhe për Shqipërinë kjo është historike. Në këtë short, FSHF-ja përfaqësohej nga presidenti i saj, Armando Duka, trajneri De Biazi dhe menaxheri i ekipeve kombëtare, Alban Bushi.
Botërori “Rusi 2018”
Ja shorti i Eliminatoreve
për Zonën e Evropës
Grupi A
Holanda
Franca
Suedia
Bullgaria
Bjellorusia
Luksemburgu
Grupi B
Portugalia
Zvicra
Hungaria
Ishujt Faroe
Letonia
Andorra
Grupi C
Gjermania
Republika Çeke
Irlanda e Veriut
Norvegjia
Azerbajxhani
San Marino
Grupi D
Uellsi
Austria
Serbia
Irlanda
Moldavia
Gjeorgjia
Grupi E
Rumania
Danimarka
Polonia
Mali i Zi
Armenia
Kazakistani
Grupi F
Anglia
Sllovakia
Skocia
Sllovenia
Lituania
Malta
Grupi G
Spanja
Italia
Shqipëria
Izraeli
Maqedonia
Lihtenshtejni
Grupi H
Belgjika
Bosnjë-Hercegovina
Greqia
Estonia
Qipro
Grupi I
Kroacia
Islanda
Ukraina
Turqia
Finlanda