AlbanianSport.com 26.07.2015 11:35
ASNN – Është hedhur mbrëmjen e së shtunës në Shën Pjetërburg të Rusisë shorti për Eliminatoret e Botërorit 2018. Në këtë short Shqipëria ka qenë në vazon e tretë dhe fati duket se nuk ka qenë me të. Kjo, pasi sipas shortit, Shqipëria do të jetë në grupin G me, Spanjën, Italinë, Izraelin, Maqedoninë dhe Lihtenshtejnin.
Ndërkohë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, duke folur nga Shën Pjetërburgu, ku ishte i pranishëm në hedhjen e shortit për Botërorin “Rusi 2018”, pasi u mësuan kundërshtarët e Shqipërisë në grupin G, tha për mediat se ishte i kënaqur nga shorti, pavarësisht se goglat na vunë përballë kundërshtarë të vështirë.
Ai përmendi faktin se Spanja dhe Italia janë dy favoritët e këtij grupi, por siguroi se kuqezinjtë do të bënin më të mirën e tyre për të treguar dinjitet dhe për të bërë më të mirën. “Është një short shumë i mirë dhe mua më pëlqen”, – pohoi kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar.
“Ky është një short që e vë Kombëtaren në fokusin e vëmendjes dhe përfitimet nga e drejta televizive do të jenë më të mira, prandaj jam i kënaqur nga ky short”, – vijoi Duka, i cili e sheh përplasjen me Spanjën dhe Italinë si mundësi të madhe përfitimi nga shitja e të drejtës televizive.
Një short i tillë ka anët e tij pozitive dhe negative. Në këtë të fundit lidhet me vështirësinë e realizimit të objektivit, pra vështirësi për kualifikim, por nga ana e imazhit dhe e përfitimeve financiare është një short fantastik dhe Duka pikërisht në këtë prizëm e ka parë.
“Jemi përballë dy skuadrave kampione bote”, ka thënë ai duke iu referuar Italisë dhe Spanjës, “por edhe të tjerat në grup nuk janë më pak të forta”. Megjithatë, “është thuajse e pamundur. Askush nuk ka mundur të eliminojë Italinë dhe Spanjën”, – ka shtuar kreu i FSHF-së.
Në një intervistë telefonike për “Top Channel”, Duka ka vlerësuar se është ende herët të shpresohet për një kualifikim të mundshëm në Botërorin e 2018-tës, “pasi kemi njëherë Evropianin “Francë 2016”.” Ndërkohë, ndarja në grupet e tjera për zonën e kontinentit të vjetër, ka qenë kjo:
Botërori “Rusi 2018”
Ja shorti i Eliminatoreve
për Zonën e Evropës
Grupi A
Holanda
Franca
Suedia
Bullgaria
Bjellorusia
Luksemburgu
Grupi B
Portugalia
Zvicra
Hungaria
Ishujt Faroe
Letonia
Andorra
Grupi C
Gjermania
Republika Çeke
Irlanda e Veriut
Norvegjia
Azerbajxhani
San Marino
Grupi D
Uellsi
Austria
Serbia
Irlanda
Moldavia
Gjeorgjia
Grupi E
Rumania
Danimarka
Polonia
Mali i Zi
Armenia
Kazakistani
Grupi F
Anglia
Sllovakia
Skocia
Sllovenia
Lituania
Malta
Grupi G
Spanja
Italia
Shqipëria
Izraeli
Maqedonia
Lihtenshtejni
Grupi H
Belgjika
Bosnjë-Hercegovina
Greqia
Estonia
Qipro
Grupi I
Kroacia
Islanda
Ukraina
Turqia
Finlanda