AlbanianSport.com 03.10.2014 13:45
Shkumbini mund të quhet vërtet në hall për çështjen e stadiumit, sepse policia nuk merr përsipër takimet që kjo skuadër do të ketë në fushën e vet. Nëse me Elbasanin për kupë u arrit në një kompromis që të luhej pa tifozë dhe që takimi të vëzhgohej nga forcat e policisë bashkiake, në kampionat kjo do të jetë një gjë e vështirë të realizohet.
Ndaj duhet gjetur një zgjidhje sa më shpejt. Është e pakuptimtë një gjë e tillë, sepse aty ka zhvilluar Elbasani dy takime, për më tepër në Superiore. Dhe në fakt nuk është shfaqur ndonjë shqetësim nga ana e forcave të rendit, kur e kanë marrë përsipër ndeshjen.
Megjithatë, përpos situatës që po kalohet në këtë aspekt, në kampin peqinas janë duke vijuar të stërviten për takimin që do të kenë këtë fundjavë ndaj Bylisit. Skuadra e drejtuar nga Lorenc Pashja kërkon me patjetër pikët e para në kampionat, teksa vetëm në minutat shtesë me Tomorin nuk e mori dot një pikë, sepse u ndëshkuan në fund.