AlbanianSport.com 05.03.2015 10:25
ASNN – Në takimin Shkumbini-Luftëtari, minutat e para të lojës janë të qeta nga të dyja ekipet, të cilat mundohen më shumë që të studiojnë lojën e njëra-tjetrës. Mirëpo, me kalimin e minutave, vendësit të drejtuar nga Ilir Gjyla kontrollojnë lojën dhe fillojnë të shfaqen rrezikshëm në portën e Thanos.
Do të jetë Sulkja ai që provon në minutën e tetë me një goditje nga jashtë zone, por Thano grushton, duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Rastin tjetër, po me një goditje nga jashtë zone, ndonëse pa shumë pretendime, e kanë miqtë me Mersinin. Goditja e tij grushtohet fillimisht nga portieri Ajazi, por që u desh edhe “ndihma” e shtyllës për të mos lejuar prekjen e rrjetës.
Pjesa e parë, përpos volumit të lojës, nuk ka ndonjë rast të veçantë për t’u shënuar, ndryshe nga e dyta që gjen një Shkumbin më kërkues dhe që ia arrin të gjejë rrugën e rrjetës me anë të Artur Maganit. Në minutën e 77-të, Gjata fut një top në zonë, aty ku Magani ndodhet i pambuluar, godet dhe shënon golin e fitores për Shkumbinin.
Tifozët e shumtë në tribunë, por edhe stoli peqinas është në delir, sepse kjo rrjetë i largon ato nga vendi i fundit, por ende kanë shumë punë për të arritur mbijetesën. Nga ana tjetër, gjirokastritët rëndojnë shumë pozitat e tyre në klasifikim, ku rrezikojnë rënien në Kategorinë e Dytë.
Shkumbini – Luftëtari 1-0
Shënues: Artur Magani 77’
Shkumbini: Ajazi, Lundraxhiu, Isai, E. Magani, Sulkja (Turhani 81’), Lluca (Nexha 65’), Kafazi, Xhyra, A. Magani, Dervishi (Meta 92’), Gjata. Trajner: I. Gjyla
Luftëtari: Thano, Rexha, Brahimi, Zholi, Dosti, Shenaj, Duka, Çunaj, Mersini (Gaba 80’), Tahirllari (Biraçaj 30’), Frashëri. Trajner: B. Devolli
Gjyqtarë: E. Demiraj, A. Mema, G. Kamolli (Pogradec)
Kartonë të verdhë: Isai, Gjata, Xhyra, Dervishi, A. Magani / Brahimi