AlbaniaSport.net 22.01.2015 18:25
ASNN – Shkumbini ka mundur Bylisin 3-1 në një ndeshje të vështirë përballë skuadrës e cila kërkonte ngjitjen në Kategorinë Superiore. Mesa duket, ndryshimi i bankinës ka sjellë frytet e veta në kampin peqinas, teksa Ilirjan File e nis me fitore aventurën e tij në krye të Shkumbinit. Golat e Artur Maganit, Nexhës dhe Xhyrës kanë bërë që goli i Pepajt për Bylis të mos vlejë për asgjë.
Duke folur pas ndeshjes, trajneri i ri i Shkumbinit, Ilirjan File, tha: “E mora ekipin në një kohë kur në ndeshjen e parë kishim një sfidë të vështirë me Bylisin. Ka qenë një fitore me mjaft vlera kjo e sotmja, ku një punë të mirë ka bërë paraardhësi im, Ilir Gjyla. I falënderoj të gjithë për shpirtin e garës që treguan sot.”
“E dinim që përballë do të kishim një ndeshje të vështirë, ashtu siç edhe ndodhi në fakt, – theksoi trajneri i Bylisit, Roland Nenaj. – Kam pretendimet e mia për golin e parë të peqinasve, ku dyshoj për një pozicion jashtë loje, ndonëse kjo nuk e justifikon paraqitjen tonë. Megjithatë, ne nuk heqim dorë nga objektivat tona për ngjitjen në Kategorinë Superiore.”