AlbanianSport.com 08.09.2016 17:15
ASNN – Ndonëse ka nisur Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Kategorinë e Parë do të duhen edhe dy javë të tjera për të ngritur siparin. Kjo shtyrje duket se nuk është parë me shumë problem për Shkumbinin dhe trajnerin Sokol Branica, i cili shprehet se ajo do të shërbejë për të rritur formën e disa lojtarëve të ardhur më pas në grupin e ekipit. Në prononcimin e tij për mediat sportive të ditës, ai shprehet se në ekip mundet të ketë edhe dy emra tepër të rëndësishëm për t’u afruar.
“Së pari më duhet të përgëzoj të gjithë lojtarët që janë pjesë e ekipit tonë, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe kanë punuar me përkushtim dhe pothuajse në tërësi gëzojnë një formë të mirë sportive, – ka thënë fillimisht kreu i stolit të peqinasve. – Kuptohet që përpara do të jetë një sezon sa i gjatë, aq edhe i vështirë dhe për këtë arsye na duhet një punë intensive dhe me impenjim maksimal. Në fakt, shtyrja e kampionatit për ne nuk përbën ndonjë problematikë madhore.”
“Fakti që në ekip janë afruar disa lojtarë më mbrapa grupit kërkon disi kohë për afrimin e tyre me formën e lojtarëve të tjerë, – ka vijuar Branica. – Këtë kohë ne do ta shfrytëzojmë maksimalisht edhe me punë të veçuar që ekipi të jetë sa më i plotë dhe në formën më të mirë për të përballuar sezonin. Ndonëse në ekip ka pasur disa prurje kjo nuk na ka ndalur që të vazhdojmë të kërkojmë ende përforcime. Së fundmi jemi në kontakte edhe me dy lojtarë të mirë dhe cilësorë.”
“Shpresoj që me mbështetjen e drejtuesve ata të afrohen dhe të jenë pjesë e ekipit duke e përforcuar edhe më tej repartin e mesfushës për të cilin kemi nevojë”, – ka përfunduar trajneri i Shkumbinit.