AlbanianSport.com 13.05.2015 14:20
Një nga lojtarët shqiptarë më të suksesshëm në Evropë, Shkodran Mustafi, ka gjasa që të bëhet sezonin e ardhshëm pjesë e gjigandes katalane, Barcelonës. Një lajm i tillë vjen nga mediat spanjolle, të cilat u referohen burimeve pranë klubeve përkatëse. Shqiptari nga Maqedonia dhe që luan për përfaqësuesen e Gjermanisë, ka pasur një sezon mjaft të mirë me Valencian dhe është një nga pikat e forta të kësaj skuadre në repartin mbrojtës.
Duke parë cilësitë e tij dhe paraqitjen në rritje, Barcelona e dëshiron Mustafin për të bërë më të fortë këtë repart dhe për të qenë e sigurt për vazhdimësinë. Mosha e re 23-vjeçare e Mustafit është premtuese dhe për paraqitjen e tij është bindur edhe trajneri i Valencias, Nunjo Espirito Santo, i cili i ka dhënë besim të madh futbollistit shqiptar. Mustafi ka regjistruar në këtë sezon plot 31 ndeshje dhe ka shënuar katër gola, duke qenë ndër lojtarët më efikasë të këtij reparti.
Fakti që e kërkon Barcelona ka bërë shumë bujë, megjithëse një kalim i mundshëm brenda kësaj vere është gati i pamundur, por katalanët mund të përdorin një parakontratë me të, për ta marrë edicionin e ardhshëm, pra në verën e vitit 2016.