Nga Altin B. Kodra 27.12.2014 09:45
Portieri Alban Hoxha i Partizanit dhe sulmuesi Pero Pejiç i Kukësit kanë qenë dy personazhet më të spikatur të gjysmës së parë të këtij sezoni të Kategorisë Superiore, që uli siparin në fundjavë. Lufta ka qenë e ashpër në betejën për titull, pasi Kukësi kryesues ka marrë vetëm 38 pikë nga 54 të mundshme, ndërsa shterpësia e golave reflektohet edhe tek fakti se vetëm Skënderbeu i vendit të dytë ka shënuar më tepër gola, 26, ndërsa Partizani ka pësuar më pak, 7.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka mbyllur dy fazat e para të saj me Kukësin që kryeson me 38 pikë, të ndjekur nga Skënderbeu dhe Partizani, me nga 36 pikë, dhe Tirana me 35. Ndonëse nuk mund të bëhen krahasime, pasi formula e kampionatit ka ndryshuar nga 12 skuadra me 2 faze në 10 skuadra me 4 faza, e për rrjedhojë ka luajtur edhe më tepër ndeshje në gjysmën e rrugëtimit të saj, Kategoria Superiore ka qenë paksa më e varfër përsa u përket golave të shënuar.
Në këto 90 ndeshje të luajtura gjithsej në dy fazat e para të këtij sezoni, janë realizuar 166 gola, nga të cilët 78 në fazën e parë dhe 89 në të dytën, me një mesatare prej 1.84 golash për ndeshje. Kjo është një mesatare më e ulët sesa ajo e sezonit të shkuar, ku në total, gjatë gjysmës së parë, u shënuan rreth 20 gola më shumë. Kjo gjysmë e parë e këtij sezoni, ka folur me gjuhën e ekipeve vendase, që kanë korrur 50 fitore, 6 ndeshje janë mbyllur në barazim, ndërsa 34 ndeshje të tjera janë fituar nga ekipet udhëtuese.
Lufta ka qenë e ashpër në betejën për titull, pasi Kukësi kryesues ka marrë vetëm 38 pikë nga 54 të mundshme, ndërsa shterpësia e golave reflektohet edhe tek fakti se vetëm Skënderbeu i vendit të dytë ka shënuar më tepër gola, 26, ndërsa Partizani ka pësuar më pak, 7. Në fakt, ky bilanc mbresëlënës i të kuqve ka si kontribues kryesor “gardianin” e të kuqve, Alban Hoxha, i cili ka arritur të thyejë rekordin 30-vjeçar të vendosur nga portieri i Labinotit të Elbasanit, Bujar Gogunja.
Ky i fundit e mbajti të paprekur rrjetën e portës për 1037 minuta. Rekordi i ri i vendosur nga Alban Hoxha është 1084 minuta, rekord i cili u vendos të shtunën e 13 dhjetorit. Ish-portieri i Elbasanit e vendosi rekordin e tij në intervalin kohor 11 dhjetor 1983-13 maj 1984. Ndërsa rekordi i ri i vendosur nga Hoxha nisi më 30 gusht 2014, në minutën e 80-të të ndeshjes me Apoloninë deri më 13 dhjetor 2014, ku në minutën e 85-të ndëshkohet nga Ardit Shehaj i Flamurtarit.
Në krahun tjetër të fushës, gjysma e parë e sezonit ka folur me gjuhën e Pero Pejiçit, i cili ka realizuar i vetëm 10 nga 21 golat e Kukësit, duke qenë në rrugë të mbarë për një tjetër sezon si fitues i “Këpucës së Artë”, si golashënuesi më i mirë.