Gjergj Vyshka 29.01.2015 10:35
Kamza dhe Kastrioti nuk kanë luajtur më shumë se 45 minuta dje në Yrshek, teksa kishin vendosur që të zhvillonin një ndeshje miqësore në prag të startit të pjesës së dytë. Topin e futbollit e ka pushtuar zënka mes lojtarëve, apo dhe përplasjet fizike, të cilat duket se do të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të ndeshjeve të grupit të Veriut në Kategorinë e Parë.
Sepse me përjashtim të Tërbunit, Mamurrasit dhe Besëlidhjes, që do të luftojnë deri në fund për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, shtatë skuadrat e tjera janë për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Që nga Kastrioti i vendit të 4-t e deri tek Ada e Velipojës, e vendit e 10-të, luhet me pesë pikë diferencë. Aq më shumë që e 10-ta bie direkt në Kategorinë e Dytë, kurse skuadra e vendit të 9-të bën “play-out” me të dytën e grupit të Jugut të Kategorisë së Dytë.
Në këto kushte, miqësorja e djeshme mes Kastriotit dhe Kamzës është dukur sikur të ishte një ndeshje kampionati, sepse të gjithë e kanë pasur mendjen te rezultati. Dhe kjo nuk i bën mirë futbollit në kushtet kur kampionati është përpara dhe ka edhe një fazë të tretë për të luajtur përpara.