AlbanianSport.com 08.11.2014 21:15
ASNN – Shënkolli i Kategorisë së Dytë, që merr pjesë në Grupin e Veriut, është duke i vlerësuar njësoi të gjitha skuadrat. Për rrjedhojë, edhe duke qenë në prag të sfidës me Partizanin B, skuadra e Brukës dje ka luajtur një ndeshje kontrolli me të rinjtë e Besëlidhjes, të cilën e ka fituar 2-0. Golat janë shënuar nga kapiteni Mirdita dhe Deda. Duhet veçuar se trajneri Bruka në pjesën e parë ka luajtur me formacionin e tij më të mirë, kurse në të dytën ka luajtur me rezervat.
Të rinjtë e Besëlidhjes, edhe pse e kanë humbur ndeshjen, kanë demonstruar aftësi të mira. Madje ka lojtarë, të cilët mund t’i shërbejnë në një të ardhme dhe ekipeve të rritura. Shënkolli nga ana tjetër është forcuar me afrimin e Klaudio Pjetrushit dhe Burakut. E ky i fundit për gazetat sportive shqiptare do të deklaronte: “Fitorja me Teutën B, si dhe shënimi i katër golave na ka dhënë më shumë besim. Madje ne pretendojmë që të kemi rezultate pozitive dhe në ndeshjet e ardhshme.”
“Dhe pse, deri më tani, Korabi i ka fituar të gjitha ndeshjet, ne pretendojmë që të jemi ndër ekipet kryesuese të grupit, – ka vijuar ai. – Sepse objektivi ynë i ardhshëm është ngjitja në Kategorinë e Parë. Niveli i lojës i skuadrës sonë po rritet nga dita në ditë dhe nga ndeshja në ndeshje. Të gjitha ndeshjet, të paktën deri më tani, i kemi luajtur jashtë fushës sonë dhe për rrjedhojë rezultatet janë të kënaqshme. Deri më tani jemi duke treguar se jemi një skuadër e fortë dhe e denjë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.”
“Meritë për këtë ka trajneri ynë Bruka, si dhe grupi i lojtarëve, që tashmë është harmonizuar, – ka vijuar Buraku. – Madje dhe përzgjedhja e futbollistëve është e atillë që e ka bërë Shënkollin më shumë se të fortë. Në ndeshjen e radhës me Partizanin B ne shkojmë që të marrin trepikëshin. Sepse vetëm kështu forcojmë pozitat tona”. Ndërkohë për gazetat sportive ka folur dhe Pjetrushi, i cili ka deklaruar: “Tani jam në një formë të mirë fizike dhe rikthimi me gol është shumë i rëndësishëm për mua”.
“Jo vetëm kaq, por dua të shënoj dhe në ndeshjen me Partizanin B. Na duhet trepikëshi dhe do të luftojmë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Duhet të ruajmë pozitat që kemi në renditje dhe t’i forcojmë ato”, – ka përfunduar futbollisti i Shënkollit, Klaudio Pjetrushi.