AlbanianSport.com 02.04.2015 13:20
ASNN – Mesfushori kosovar, Xherdan Shaqiri, ka lënë të hapur mundësinë për të luajtur me përfaqësuesen e Kosovës në të ardhmen. Në një intervistë dhënë për rrjetin prestigjioz amerikan dhe ndërkombëtar, CNN, Shaqiri ka thënë se e do Kosovën, por e tashmja i përket me Zvicrën, ndërsa ka shtuar se të ardhmes nuk i dihet.
“E dua Kosovën, e dua Zvicrën, i dua të dyja, – ka thënë Shaqiri. – Por për momentin ndjehem i lumtur te Zvicrës. Jam shumë i nderuar për atë që ka bërë Zvicra për mua dhe familjen time, por të ardhmes nuk i dihet.” Numri i vogël i zviceranëve “autoktonë” në përfaqësuese të Zvicrës ka ngjallur debat të madh në shtetin helvet.
Opinioni dhe media ka kohë që flet për këtë fenomen, por së fundi për të kanë ngritur zërin edhe vetë lojtarët zviceranë, gjë që ka zemëruar futbollistët shqiptarë. I pari që ka reaguar në emër të gjashtë futbollistëve shqiptarë që luajnë me ekipin e parë të Zvicrës, është Valon Behrami.
Ky presion dhe racizëm mund të jetë i keq për të huajt e Zvicrës, por mund të jetë shumë i dobishëm për Kosovën që të kthejë bijtë e saj në përfaqësuese, apo edhe për Shqipërinë që, në mungesë të ndeshjeve zyrtare të Kosovës, është vlerësuar si shtëpi e gjithë shqiptarëve.
Kështu të paktën mendon ish-futbollisti kosovar i përfaqësueses së Zvicrës, kosovari Milaim Rama, i cili ka folur për këtë temë për mediat në Prishtinë.