AlbanianSport.com 18.01.2015 09:10
ASNN – Skuadra e Interit nuk ka arritur më shumë se një barazim përballë Empolit, në takimin e zhvilluar mbrëmë, ku për zikaltërit, ka debutuar edhe blerja më e fundit, Xherdan Shaqiri.
Ekipi i trajnerit Roberto Mançini është ndarë me rrjeta të paprekura me Empoli, në takimin e zhvilluar në kuadër të javës së 18-të të Serisë A, ku ka qenë skuadra vendase që ka patur disa rate të mira për shënim, por ka qenë e pafat.
Në këtë takim ka luajtur edhe Xherdan Shaqiri. Ky i fundit është futur në fushë në minutën e 74-të në vend të Lukas Podolskit. Kjo ishte ndeshje e parë e gjilanasit të përfaqësueses zvicerane me fanellën zikaltër, që prej transferimit nga Bajerni i Munihut.
Kurse, për skuadrën e Empolit gjatë gjithë ndeshjes ka luajtur mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, i cili ka bërë një paraqitje të kënaqshme. Pas këtij barazimi, Interi është ngjitur në kuotën e 26 pikëve, duke mbajtur vendin e 9-të në renditje.