AlbanianSport.com 22.01.2015 12:55
ASNN – Edhe pse ishte i emocionuar dhe i përlotur për shkak të tërheqjes nga basketbolli i luajtur, Samir Shaptahoviç ka gjetur kohë ta kujtojë edhe Ibrahim Rugovën, i cili ndërroi jetë si dje 9 vjet të shkuara.
Duke folur për të përditshmen kosovare “Zërin” rreth aventurës së tij në Prishtinë, Shaptahoviçi kujtonte vizitat që i kishte bërë presidentit historik, për të cilin thotë se i kishte afruar ngrohtësi.
“Në të gjitha qytetet kam kaluar për mrekulli dhe i falënderoj të gjithë ata njerëz, – tha Samiri për të përditshmen në fjalë. – Kur pata ardhur në Prishtinë, isha beqar. Kënaqesha në atë qytet me ata njerëz të shkëlqyeshëm.”
“I kisha dyert e hapura gjithkah. Shkoja te presidenti historik, Ibrahim Rugova, pa paralajmërim dhe ai më priste ngrohtësisht”, – theksoi Shaptahoviç, i cili aq shumë trofe ka fituar në basketbollin kosovar, saqë as vetë ai nuk e di se sa saktësisht.