AlbanianSport.com 03.11.2014 09:45
ASNN – Qyteti i Durrësit po mirëpret, për të dytin edicion radhazi, Turneun Ndërkombëtar të Shahut. I mbiquajtur “Durrësi Open”, ky turne zhvillon në qytetin bregdetar edicionin e tij të dytë dhe ka nisur të shtunën, më 1 nëntor, për të vijuar përgjatë gjithë javës e për t’u mbyllur më 8 nëntor.
Sipas Sekretares së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi, në këtë turne janë regjistruar rreth 70 shahistë dhe do të zhvillohet gjithsej 9 ture. Ceremonia e hapjes është zhvilluar në pasditen e 1 nëntorit, ndërsa për fituesit janë parashikuar 8,500 euro për çmimet.
Organizatorët e këtij turneu kanë konfirmuar pjesëmarrjen e të paktën 20 Mjeshtërve të Mëdhenj Ndërkombëtarë, apo dhe Mjeshtërve Ndërkombëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia dhe vende të tjera të rajonit dhe të Evropës.