Gjergj Vyshka 23.09.2015 11:15
Kampionati Evropian i shahut për moshat 8-18 vjeç, që është duke u zhvilluar në Poreç të Kroacisë, ka dhënë tre fitore dhe një barazim për kuqezinjtë, kurse pjesa tjetër vetëm humbje. Ajo që vazhdon të spikasë me talentin e vet është Klean Shuqja, e cila dje ka mundur rusen Ksenija Parsegejan në grupin e Nën-10-vjeçareve. Ka dy pikë në dy ndeshje dhe ndodhet në vendin e 7-të, ndërsa është një pretendente serioze për trofe.
Gjë që e ka treguar dhe në aktivitete të tjera ndërkombëtare ku ka marrë pjesë. Sakaq fitore të para kanë arritur dhe Zino Veleshnja, që për Nën14-vjeçarët ka fituar ndaj serbit Dejan Omorjan. Por në të njëjtën kohë fitore në “tavolinë” ka marrë edhe Vito Deni tek Nën-10-vjeçarët. Ndërkaq Tedi Shpati ka marrë barazimin e dytë tek Nën-16-vjeçarët, kurse dje ka barazuar me polakun Mikal Karpus.
Për Nën-18-vjeçarët, Timoleo Miço ka pësuar humbjen e dytë, ndërsa është mundur nga Mjeshtri i FIDE-s, norvegjezi Kristiansen Johan-Sebastian. Të njëjtin fat ka pasur dhe Pirro Marko tek Nën-12-vjeçarët, ndërsa është mundur nga rusi Iskander Zhanazarov. Dhe po kështu ka ndodhur me Adrian Gurin tek Nën-8-vjeçarët që është dorëzuar përballë austriakut Filip Uendl.
Dhe në të njëjtën kohë ka pësuar humbjen e parë dhe Suzana Kërçiku tek vajzat, tek Nën-10-vjeçaret e cila është mundur nga kandidatja për mjeshtre FIDE, rusja Ana Vasenina. E ajo që duhet thënë është se pas dy turesh në Evropianin e moshave të shahut krenaria e Shqipërisë mbetet Klean Shuqja.