Gjergj Vyshka 23.06.2016 09:25
Shqipëria e shahut ka nisur pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Evropian të Shkollave, që është duke u zhvilluar në Kasandra të Greqisë. Ashtu sikurse është reklamuar dhe në profilin e Federatës Shqiptare të Shahut në rrjetin social, “Facebook”, ky kampionat ka nisur më 16 qershor dhe përfundon më 26 qershor.
Dhe Shqipëria e shahut ka zgjedhur të përfaqësohet me Klean Shuqjan në grupmoshën e 11-vjeçareve për vajza, si dhe me Dijon Peposhin për grupmoshën deri në 7 vjeç për djem dhe Adrian Guri për moshën deri në 9 vjeç po për djem. Ajo që bën diferencën është Klean Shuqja, e cila pas 6 turesh ndodhet në vendin e katërt me 4.5 pikë.
Këto kanë ardhur nga tre fitore dhe tre barazime. Fillimisht ka mundur turken Bashak Çesur dhe gjermanen Vanesa Vieman. Por, më pas, vijnë tre barazime me Ana Zhurovën e Rusisë, me turken Elif Keskin dhe me rumunen Georgiana Vulpe-Rasin. Por gjithçka është rregulluar dje teksa ka fituar me rusen Emilja Zaviveva.
Nuk duhet harruar që Shuqja është renditur mes më të mirave në këtë Evropian edhe kur ka qenë më parë me grupmoshën e 7 apo 9 vjeçareve. Aq sa është përshëndetur nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Parë kështu, talenti i Klean Shuqjas vazhdon të spikasë, ndërsa nuk i rastësishëm dhe ky rezultat i saj i tanishëm.