AlbanianSport.com 25/02/2018 21:00
ASNN – Shahistët e rinj të Tiranës janë kthyer me medalje nga turneu i 4-t ndërkombëtar “Vardaris”, që, nga data 15, deri më 19 shkurt 2018, është zhvilluar në Selanik. Ka qenë një turne i hapur me 7 ture, në të cilën morën pjesë 254 shahistë nga Greqia, Bullgaria, Belgjika, Gjermania, Maqedonia, Rumania, Serbia, Holanda, Sllovakia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Turneu ishte i ndarë në dy grupe, përkatësisht Grupi A me Elo më shumë se sa 1800 dhe grupi B me Elo 1800 e më poshtë. Klubi i shahut “SK Tirana” u përfaqësua nga 2 shahistët e rinj, Klean Shuqja (Nën-12-vjeç) dhe Adrian Guri (Nën-12-vjeç), nën drejtimit e trajnerit dhe mjeshtrit FIDE, z. Shkëlqim Cela. Shahistët e rinj zhvilluan një garë dinjitoze ku nuk munguan as medaljet.
Klean Shuqja grumbulloi 5 pikë në 7 ture, duke u renditur në vendin e 9-të në grupin B me 135 pjesëmarrës, me rritje ELO 5.2 pikë. Kleana u rendit e para në grupmoshën Nën-16-vjeç për femra duke marrë dhe trofeun përkatës. Edhe Adrian Guri grumbulloi gjithashtu 5 pikë në 7 ture, duke u renditur në vendin e 13-të në grupin B me 135 pjesëmarrës, me rritje ELO 18.8 pikë.
Adriani fitoi dhe medaljen e vendit te dytë në grupmoshën Nën-16-vjeç për meshkuj.