AlbanianSport.com 06/01/2018 13:00
ASNN – Siç dihet, Shqipëria e shahut ka fituar që në shtator të 2016-ës të drejtën e organizimit të dy veprimtarive të rëndësishme për vitin 2018. Një gjë e tillë u vendos në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, atje ku është mbajtur në 10-ditëshin e parë të shtatorit të 2016-ës, edhe Olimpiada e 42-të Botërore e Shahut dhe ku e pranishme ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi.
Kampionati Botëror i Shkollave dihej, por Shqipëria ishte në tentativë për turneun e Frankofonisë, gjë që është arritur pas përfundimit të punimeve të Asamblesë. “Janë këto dy veprimtari të rëndësishme, por dhe Olimpiada Botërore, e cila do të zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, që do të na bëjnë për të përcaktuar objektiva të mëdha për këto dy vjet”, – pati deklaruar atëherë Pilinçi.
Në fakt, për këtë qëllim, në mesin e 2016-ës, pati mbërritur në Tiranë edhe presidenti i Shoqatës Botërore Frankofone të Shahut, Patrik Van Holand. Shqipëria është që nga viti 1999, pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Dhe, në një njoftim në faqen e saj në Internet, Shoqata Botërore Frankofone të Shahut ka bërë të ditur se Shqipëria dhe kryeqyteti i saj, Tirana, do të mirëpresin Takimin e 6-të Ndërkombëtar të Shahut Frankofon.
Ky takim do të mbahet në Hotel “Tirana International”, nga data 25 gusht, deri më 2 shtator 2018. Ndërkaq, Kampionati Botëror i Shkollave më 2018-ën do të zhvillohet në Durrës. E kjo vjen pas “matçit” botëror për femra më 2011 në Tiranë mes kinezes Hou Ji Fan dhe indianes Koneru, por dhe turneut ndërkombëtar të Durrësit.