Gjergj Vyshka 10.11.2016 20:25
Federata Shqiptare e Shahut, nëpërmjet Sekretares së Përgjithshme, Majlinda Pilinci, ka lajmëruar se të premten në një nga sallat e hotel “Doro Sitit” do të bëhet promovimi i librave të shahut, si dhe do të nisë seminari për instruktorët e këtij sporti në shkolla.
Lektor i seminarit do të jetë rumuni Vlad Ungureanu, ndërsa Federata Shqiptare e Shahut ka përcaktuar se pjesëmarrës të këtij seminari do të jenë përfaqësues të klubeve sportive e shoqatave, instruktorë të shahut në Qendrat e Kulturës së Fëmijëve në rrethe, përfaqësues të Drejtorive Arsimore Rajonale të përfshirë në projektin e shahut në shkolla dhe mësues përfaqësues të shkollave të përfshira në projektin e shahut në shahut dhe shkolla si qendra komunitare.
Ky seminar vjen pas atij të zhvilluar me trajnerët e FIDE-s nga Mjeshtra e Madhe Ndërkombëtare, Antoaneta Stefanova. Edhe më parë janë bërë seminarë me gjyqtar, që në korrik 2014 është drejtuar nga greku Panagiotis Nikolopulos, arbitër ndërkombëtar.
E kësisoj shahu shqiptar vijon të rrisë nivelin e vet.