Gjergj Vyshka 25.12.2016 10:40
Të mërkurën e ardhshme, Federata Shqiptare e Shahut do të zhvillojë zgjedhjet e forumeve të reja drejtuese. Por nga trajneri i Akademisë së Shahut, Shkëlqim Çela, i cili ka nxjerrë një sërë talentesh, mes të cilave dhe Klean Shuqja, ka ardhur dhe akuza për drejtuesit aktual.
Sepse atë nuk e kanë ftuar në këtë Asamble Zgjedhore, edhe pse është trajneri i licencuar nga Federata Botërore e Shahut. “Siç e dini më 28 dhjetor do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e Shahut, – ka thënë ai. – Unë jam i paftuar në këtë Asamble. Unë jam trajneri i Akademisë së Shahut.”
“Ndërsa skuadra që unë drejtoj prej 7 vjetësh merr pjesë në të gjitha veprimtaritë kombëtare, teksa jemi dhe furnizuesit e ekipeve kombëtare, – ka vijuar trajneri i katrorëve bardhezi. – Jo vetëm kaq, por jam dhe trajner i të rinjve. Arsyeja e vetme e kësaj hakmarrjeje primitive është se unë kam denoncuar fakte të pakundërshtueshme dhe jo me shpifje.”
“Madje kam akuzuar për aferat jo ligjore të Sekretares së Përgjithshme të Federatës në veçanti dhe të kryesisë. E kjo është turp që unë nuk ftohem në këtë Asamble”, ka përfunduar trajneri i Akademisë së Shahut, Shkëlqim Çela, i cili duket se do të mungojë në Asamble.