Gjergj Vyshka 28.12.2016 07:05
Shahu shqiptar ka bërë formalitetin e radhës në asamblenë zgjedhore, ndërsa ashtu sikurse ishte parashikuar, Eduard Shalsi, kandidati i vetëm për president, është zgjedhur në mënyrë unanime. Nga 17 delegatë, 16 kanë votuar pro tij, kurse një ka qenë e pavlefshme. Në paraqitjen e platformës së tij, Shalsi ka bërë të ditur se nuk mund të bëjë mrekulli, por që me ndihmën e të gjithëve mund të realizojnë të gjitha ato që shahu kërkon.
Pasi ka bërë një biografi të shkurtër, Shalsi tha se ka qenë pasionant i shahut. “Shahu gjithnjë më ka magjepsur dhe është privilegj që jam kandidat për president, – ka thënë ai. – Madje nëpërmjet shahut fitohet inteligjenca, mprehtësia, përqendrim e do të doja që politika jonë të mos ishte vetëm e tavllës dhe e bilardos, por dhe e shahut”. Duke vazhduar me projektet ai është ndalur në shahun në shkolla, gjetjen e mënyrave nëpërmjet trajnerëve pasionantë, apo dhe ato që mund të marrin në patronazh që të merren me këta fëmijë.
“E mira është që të kemi nëndegët tona nëpër rrethe, – ka vijuar presidenti i ri. – Të bëjmë një faqe aty ku të jenë të lirë të diskutojnë të gjithë, pse jo dhe për turne botëror. Të paktën në Tiranë të arrijmë të shfrytëzojmë sallat e hoteleve, apo çdo mundësi donacioni, sepse vetëm kështu do të bëjmë shahun atraktiv. Nuk do bëjmë mrekulli, por mund të bëjmë gjithçka bashkë për të mirën e tij”. Dhe fjala e Shalsit është pritur me duartrokitje, gjë që më pas është konvertuar në votimin me unanimitet të plotë.