Gjergj Vyshka 01.10.2015 11:50
Dje në Poreç të Kroacisë ka përfunduar Kampionati Evropian i Moshave në Shah, atje ku më të mirët e Shqipërisë, pas 9 turesh, kanë rezultuar Klean Shuqja për grupmoshën deri në 10 vjeç dhe Zino Veleshnja për Nën-14-vjeçarët djem. Të dy këto shahistë kanë grumbulluar nga 5.5 pikë në 9 ture, ndërsa dje Veleshnja ka fituar ndaj holandezir Joris Kokje.
Dhe me 5.5 pikë renditet i 21-ti mes 89 pjesëmarrësve. Ndërkohë Shuqja ka pasur përballë kandidaten për kandidate mjeshtre, rusen Emilia Zavavieva, e cila ka fituar. Kjo ishte humbja e dytë e Shuqes, ndërsa numëron dhe katër fitore e tre barazime. Dhe me 5.5 pikë është renditur në vendin e 16-të mes 73 pjesëmarrësve. Sakaq për Nën-18-vjeçarët, Timoleo Miço ka barazuar me mjeshtrin e FIDE-s, kroatin Marko Sokaq.
Me 4.5 pikë në 9 ture, ai u klasifikua i 31-ti mes 54 pjesëmarrësve. Për të vijuar më pas, tek Nën-16-vjeçarët, Tedi Shpati ka fituar në “tavolinë” dhe me 3.5 pikë në 9 ture ka zënë vendin e 54-t mes 67 pjesëmarrësve. Tek Nën-12-vjeçarët, Pirro Marko ka barazuar me grekun Jorgos Papadimitrakis. Me tre pikë në 9 ture është në vendin e 94-tërt mes 110 pjesëmarrësve.
Duke vazhduar me Vito Denin tek Nën-1o-vjeçarët, ai dje ka barazuar me azerbajxhanasin Alperen Kanli. Dhe ky shahist me 3.5 pikë në 9 ture ka zënë vendin e 76-të mes 97 pjesëmarrësve. Për Nën-8-vjeçarët, Adrian Guri ka fituar me sllovenin Anton Kosem dhe, në 9 ture ka grumbulluar 3 pikë, duke zënë vendin e 63-të mes 67 pjesëmarrësve.
Dhe në fund, tek Nën-16-vjeçarët për vajza, Suzana Kërçiku e ka mbyllur me një barazim me irlandezen Alise O’Gorman. Me 4 pikë në 9 ture, ajo ka zënë vendin e 37-të mes 52 konkurrentëve. Përgjithësisht një përfaqësim i mirë, atje ku Shuqja e Veleshnja ishin më të fortët.