Gjergj Vyshka 22.09.2015 07:55
Barazime për Suzana Kërçikun dhe Tedi Shpatin, të gjithë të tjerët kanë dalë të humbur në turin e parë të kampionatit në Poreç të Kroacisë. Ashtu sikurse ishte lajmëruar ditë më parë, në Poreç të Kroacisë dje ka nisur Kampionati Evropian i Shahut për moshat 8-18 vjeç.
Në këtë veprimtari merr pjesë dhe Shqipëria, ndërsa e vetmja që ka fituar në turin e parë është Klean Shuqja, e cila ka mundur boshnjaken Anastasija Stankiç. E kjo për grupmoshën deri në 10 vjeç, ndërsa vitin e kaluar Klean Shuqja ka qenë e 9-ta në grupmoshën e Nën-8-vjeçareve, si dhe e 17-ta në Botërorin e po kësaj grupmoshe.
Ndërkohë janë shënuar dhe dy barazime, të dyja në grupmoshën e Nën-16-vjeçarëve. Për vajza Suzana Kërçiku ka barazuar me ukrainasen Nadija Shpanko, kurse Tedi Shpati përballë mjeshtrit të FIDE-s, danezit Martiv Percivaldi. Duke vijuar më pas për Nën-8-vjeçarëve djem, Adrian Guri është mundur nga rusi Leonid Listsov.
Për Nën-10-vjeçarëve djem Vito Deni është mundur nga serbi Bogdan Vukoviç. E të njëjtin fat kanë pasur dhe Zino Veleshnja për Nën-14-vjeçarëve ndaj armenit David Mirzojan, si dhe Timoleo Miço për Nën-18-vjeçarëve, i cili është mundur nga mjeshtri i FIDE-S, kroati Leon Livac.
Kampionati Evropian i moshave në shah përfundon më 30 shtator.