Gjergj Vyshka 13.10.2016 07:55
Naftëtari, që konsiderohet një nga ekipet më të mira të shahut shqiptar, sepse në gjirin e vet ka dy Mjeshtëra të Mëdhenj Ndërkombëtar (Erald Dervishi dhe Mirko Drashko), Mjeshtër Ndërkombëtar (Ilir Seitaj), Mjeshtër FIDE (Federata Botërore e Shahut) (Franc Ashiku), është me një dorë tek titulli “kampion”.
Dje ka mundur Butrintin, që në skuadrën e saj ka Dritan Mehmetin, Oltion Vatën, Çlirim Guxhon dhe Lime Mihasin. Vetëm një barazim mes Dervishit dhe Mehmetit dhe, më pas, duke nisur nga malazezi Drashko dhe për të vazhduar me Seitajn dhe Ashikun, të gjithë i kanë fituar ndeshjet e tyre.
Dhe, me 10 pikë, teksa kanë mbetur deri në fund të kampionatit edhe katër ture, Naftëtari ndjen aromën e titullit. Për trajnerin Gjergji Mihali ka mbetur dhe një ndeshje e vështirë nëse mund të thuhet kështu me Partizanin dhe më pas të gjitha sfidat e tjera do të jenë një administrim i kryesimit.
Ndërkohë Elbasani ka fituar me Teutën, Roskoveci me Skraparin, Partizani me Valbonën dhe Veleçiku me Akademinë e Shahut, e cila sipas trajnerit Shkëlqim Çela në mungesë të një salle prej 4 muajsh nuk mund të bëjë më shumë. Kësisoj Naftëtari me një skuadër për t’u patur zili është në prag të titullit kampion si ekip.
Kampionati Kombëtar
Ekipor i Shahut 2016
Rezultatet teknike të turit të 5-të:
Skrapari – Roskoveci 1-3
Elbasani – Teuta 3-1
Butrinti – Naftëtari 0.5-3.5
Partizani – Valbona 3-1
Akademia – Veleçiku 1-3
Renditja pas 5 turesh:
Naftëtari 10 pikë, Butrinti dhe Elbasani 8 pikë, Partizani 7 pikë, Roskoveci 6 pikë, Skrapari 4 pikë, Teuta dhe Veleçiku 3 pikë, Valbona 1 pikë, Akademia 0 pikë