Gjergj Vyshka 24.10.2016 11:35
Shahu shqiptar e ka përfunduar veprimtaritë për vitin 2016, me kampionatin e Rapidit, lojë e shpejtë 15-minutëshe, e cila është zhvilluar në hollin e ish-Kompleksit “Dinamo”. Në fakt, nisja e këtij kampionati ka qenë vendosur për në orën 09:30.
Por, për shkak të homazheve që janë zhvilluar për nder të ish-mbrojtësit të kombëtar dhe Partizanit, Safet Berisha, i ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare, gjithçka është shtyrë për dy orë e gjysmë.
Edhe pse kështu, sipas kryegjyqtarit të garave, Kristaq Andoni, 51 shahistët pjesëmarrës kanë dhënë më të mirën e tyre. Në përfundim, pas 8 turesh, në vendin e parë është renditur Dritan Mehmeti, i cili ka grumbulluar 8.5 pikë.
Vendi i dytë dhe i tretë është ndarë mes Besnik Limajt dhe Zino Veleshnjes, të cilët në 9 ture kanë pasur 7 pikë secili. Ndërkohë, vendi i parë, që i ka takuar Dritan Mehmetit, ka marrë edhe shpërblimin prej 20.000 lekësh.
I dyti, që ishte për Besnik Limajn, ishte 10,000 lekë, kurse, i treti, i Veleshnjës, 5,000 lekë. Kjo ishte dhe veprimtaria e fundit e shahut shqiptar për 2016-ën, që tashmë pret të kalojë dhe në procesin zgjedhor sikundër të gjitha federatat e tjera sportive.