AlbanianSport.com 26.10.2015 12:30
ASNN – Federata Shqiptare e Shahut ka organizuar Kampionatin Kombëtar Ekipor, si dhe veprimtaritë e dy disiplinave të tjera, të “Blic”-it dhe “Rapid”-it. Në përfundim të këtyre veprimtarive u shpallën fituesit për disiplinat përkatëse. Ndërsa si ekip fitues u shpall Butrinti.
Në kuadër të kalendarit vjetor, Federata Shqiptare e Shahut ka organizuar veprimtaritë e radhës. Për tri ditë me radhë, në sallën kryesore të shahut u zhvillua fillimisht disiplina “Blic” me pjesëmarrjen e 27 shahistëve, meshkuj dhe femra. Në përfundim të konkurrimit, fitues u shpall Agim Sinoimeri.
Më pas 36 shahistë konkurruan në disiplinën “Rapid”. Pas një lufte të fortë sportive, vendin e parë e zuri Albi Mihali. Në ditën e tretë të kampionatit u zhvilluan ndeshjet ekipore. Për orë të tëra, shahistët kanë luajtur sipas shortit të hedhur më parë për të grumbulluar pikë, të cilat do të ndihmonin skuadrat e tyre për të fituar titullin “kampion”.
Shahistët e Butrintit treguan nivel më të lartë se konkurrentët e tjerë, duke arritur të zenë vendin e parë dhe të fitojnë titullin “kampion”. Në vendin e dytë dhe të tretë u renditën Naftëtari dhe Akademia A. Në këtë veprimtari morën pjesë shahistë nga 10 ekipe: Valbona, Partizani, Teuta, Elbasani, Naftëtari, Akademia B, Akademia A, Roskoveci, Apolonia dhe Butrinti.