Gjergj Vyshka 16.10.2016 09:50
Llambi Pasku është kampioni i blicit në shah, një disiplinë që konsiston në një lojë e shpejtë 5-minutëshe, ndërsa gjithçka ka përfunduar dje paradite në mjediset e ish-kompleksit Dinamo.
Në 9 ture, teksa kanë marrë pjesë 29 shahistë, Pasku ka grumbulluar 7.5 pikë. Në vendin e dytë është renditur Franc Ashiku, që ka grumbulluar 7 pikë dhe, në të 3-tin, Sotiraq Pasku, me 6.5 pikë.
Të tre fituesit kanë pasur dhe vlera monetare, ndërsa vendi i parë ka përfituar çmimin 20,000 lekë, i dyti 3,000 lekë dhe i treti 2,000 lekë. Fundjavën e ardhshme do të jetë dhe kampionati i “Rapidit”, një tjetër lojë e shpejtë, por 15-minutëshe.
Ndërsa sot përfundon Kampionati Kombëtar Ekipor për vitin 2016, atje ku Naftëtari, ka tashmë 16 pikë pas 8 turesh dhe është shpallur edhe matematikisht “kampion” i katrorëve bardhezi për këtë vit.