AlbanianSport.com 12.05.2016 17:55
ASNN – Leonard Kolani, që është kandidat Mjeshtër FIDE, por njëkohësisht dhe trajner i Tomorit, ka zhvilluar një simultanë me nxënësit e shkollave të mesme në Berat. Një veprimtari shumë e bukur dhe domethënëse, sepse Kolani ka zgjedhur fëmijët e shkollës “Ajet Xhindole” , të gjithë të moshës 8-14 vjeç, për të parë talentin e tyre.
Dhe vetë fëmijët, edhe duke luajtur përballë një mjeshtri si Kolani, janë mobilizuar për të bërë më të mirën e tyre. E kjo veprimtari i ka shërbyer trajnerit të shahut të Tomorit për të evidentuar disa talente, djem e vajza, që do t’i marrë dhe do t’i stërvitë për t’u bërë shahistë të njohur.
Menjëherë pas përfundimit të simultanës, Leonard Kolani do të deklaronte: “Unë fillimisht dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe që m’u dha mundësia për të zhvilluar një veprimtari të tillë kaq të rëndësishme, si kjo simultanë. Qëllimi i saj ishte evidentimi dhe seleksionimi i disa shahistëve të rinj, të cilët janë me shumë perspektivë për të ardhmen e ekipit tonë të Tomorit.”
“Më shumë se sa të them emra për ato që u evidentuan, duhet të falënderoj Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe kreun e saj Selman Hodaj për këtë mundësi që më dha, – vijoi ai. – Mbi të gjitha duhet të dini që unë nuk jam vetëm trajner i Tomorit, por dhe mësues i lëndës së shahut në këtë shkollë.”
“Gjithashtu falënderoj dhe drejtorinë dhe stafin mësimor të shkollës “Ajet Xhindole”. Tani besoj se, pas evidentimit të disa shahistëve të rinj dhe me perspektivë, ne do t’i përfshijmë në skuadër. Sepse filozofia ime është ristrukturimi i shahut beratas dhe krijimi i një jetëgjatësie në këtë ekip”, – ka përfunduar shahisti beratas.