AlbanianSport.com 14.02.2016 21:20
ASNN – Leonard Kolani, sapo është vënë në krye të ekipit të shahut të Tomorit, ka nisur nga puna për të vënë në jetë platformën e tij, e cila ka për qëllim rikthimin sa më parë dhe të fuqishëm të traditës së katrorëve bardhezi në Berat. Dhe pritet që gjithçka të nisë me ekipet e moshave, që sipas Kolanit, do të jetë edhe çelësi i suksesit për një rikthim të fuqishëm të shahut beratas. Është një sport që në qytetin muze ka një masivitet të madh.
Ndaj dhe ekipi i të rinjve dhe të reja, që shpejt do të jetë në aktivitet, do të jetë dhe një bazë e fuqishme për furnizimin e skuadrës të së rriturve të Tomorit. Duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, trajneri Kolani ka shpjeguar punën që ka nisur me talentet Denis Vito dhe Ardian Guri. Janë dy shahistë që konsiderohen me të ardhme të madhe, madje lojërat e tyre në Kroaci janë komentuar gjatë edhe nga specialistët ndërkombëtar.
Dhe sipas Kolanit, e ardhmja e tyre është e sigurt. “Unë e kam thënë dhe herë të tjera, ndërsa Tomori do t’i nënshtrohet një “rikonstruksioni” të plotë, – thotë ai. – Si objekt primar është afrimi i elementëve të rinj dhe me perspektivë, që do t’i shërbejnë së ardhmes së ekipit. Sportin e shahut unë e konsideroj si puna e një fidani me të cilin sa më shumë të kujdesesh, aq më shumë të jep fryte. Më konkretisht do të flas për dy talentet që Ardian Guri për moshën deri në 8 vjeç dhe Deni Vito për moshën deri në 10 vjeç, shahistë me rezultatet më të larta në vend në arenën ndërkombëtare.”
“Njëri ka marrë 3.5 pikë, kurse tjetri 3 pikë dhe kanë spikatur me lojërat e tyre. Dhe unë deklaroj se këta dy janë të aftë për të përfaqësuar Tomorin denjësisht. E jo vetëm në ekipin e moshave, por dhe atë të rritur. Mos harrojmë që në moshë të vogël ne kemi pasur shahistë të talentuar si Altin dhe Arben Çela, apo Arben Dardha dhe Fatjon Petritaj. Të katër së bashku e kanë shpallur Tomorin kampion të Shqipërisë për të rinj. Dhe në këtë rrugë do të ecin dhe Vito e Guri”, – ka përfunduar trajneri beratas i shahut, Leonard Kolani.