Gjergj Vyshka 21.10.2014 12:30
Në Batum të Gjeorgjisë ka nisur Kampionati Evropian i Shahut për moshat 8-18 vjeç. Në të merr pjesë dhe Shqipëria, teksa Klean Shuqja vazhdon ta nderojë vendin e vet. Kështu në grupmoshën për 8 vjeç, edhe duke fituar dy ndeshjet e para, fillimisht me austriaken Enashe Dorotea dhe më pas me gjeorgjianen Mariam Shkhaidze, Shuqja ndodhet në vendin e pestë mes 63 pjesëmarrësve. E gjithë pjesa tjetër e shahistëve është mundur.
Kështu në grupmoshën e djemve deri në 18 vjeç, Ted Shpati i ka humbur dy ndeshjet e tij të para. Në fillim me moldavin Valeri Jovkov dhe më pas me kosovarin Nderim Saraçi. Më tej akoma, tashmë për grupmoshën deri në 16 vjeç, Timoleo Miço është mundur nga serbi Janko Radoviç dhe më pas nga spanjolli Hektor Larz Ibanez. Për Nën-14-vjeçarët, Devid Spiru është mundur nga izraeliti Drori Sar, i cili është kandidat mjeshtër.
Për Nën-12-vjeçarët, Pirro Marko është mundur nga letonezi Ilja Semjonovs dhe nga izraeli Or Globus. Dhe në fund për Nën-16-vjeçaret për vajza, Suzana Kërçiku është mundur nga bullgari Donika Shivasheva, si dhe nga serbja Danka Laliç. Sakaq pjesë e delegacionit është dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, së bashku me anëtarin e kryesisë, Mjeshtërin e Madh ndërkombëtar, Erald Dervishi, të cilët do të marrin pjesë në Kongresin Evropian të shahut.
Kampionati Evropian i moshave në shah përfundon më 29 tetor 2014.