AlbanianSport.com 16/11/2018 18:25
ASNN – Është mbyllur në Porto Karras, në Halkidhiki të Greqisë Kampionati Botëror i Shahut për Të Rinj, në të cilën Shqipëria mori pjesë me një nga sportistet e reja dhe më premtuese të katrorëve bardhezi, Klean Shuqja.
Duhet theksuar se në këtë Botëror, që u zhvillua sipas sistemit zviceran dhe ishte i hapur dhe me ndarje për grupmoshat Nën-12, Nën-14, Nën-16 dhe Nën-18-vjeç, morën pjesë një numër rekord pjesëmarrësish.
Plot 651 shahistë, nga 79 Federata anëtare të Federatës Botërore të Shahut (FIDE), ndërsa kampionët kombëtarë të çdo grupmoshe kanë patur edhe akomodimin falas. Në total, 8 prej këtyre shahistëve të rinj ishin Mjeshtra të Mëdhenj, 48 Mjeshtra Ndërkombëtarë dhe 157 Mjeshtra të FIDE-s.
Dhe në kategorinë e grupmoshës deri në 12 vjeç, shahistja shqiptare Klean Shuqja është renditur në vendin e 13-të në botë, me 7 pikë të grumbulluara në 11 ndeshje. Një paraqitje mjaft e mirë kjo nga nga Kleana, me ndeshje shumë të bukura ndaj kundërshtareve shumë të forta.
Në raundin e 7-të, Kleana luajti në tavolinën e parë, me shahisten indiane, tashmë kampionen e botës, Savitha, duke dhuruar shumë emocione, ashtu sikundër përgjatë gjithë kampionatit. Me koeficientin ELO që ka sot Klean Shuqja mban vendin e 16-të në renditjen individuale në Evropë dhe e 26-ta në botë.