AlbanianSport.com 29/09/2018 21:15
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi të postuar në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Federata Shqiptare e Shahut (FSHSH) ka njoftuar se nga data 20, deri më 28 tetor 2018 do të zhvillohet Kampionati i 44-t Kombëtar Ekipor.
Kjo veprimtari, që është më e madhja e shahut shqiptar në nivel ekipesh, do të zhvillohet pranë “Qendrës Rinore” në kryeqytet dhe ekipet do të kenë në përbërje 4 sportistë të rritur, si dhe një të ri, deri në 18 vjeç, dhe dy shahistë rezervë.
Duke theksuar se konfirmimi për pjesëmarrje duhet bërë nga ekipet brenda datës 12 tetor 2018, organizmi që qeveris shahun në vend sqaron se tarifa e pjesëmarrjes për secilin ekip është 1,000 lekë.
FSHSH-ja ka bërë të ditur se janë 8 ekipet që marrin pjesë direkt në fazën finale dhe ato janë Naftëtari, S.K. Tirana, Butrinti,Veleçiku, Elbasani, Flamurtari, Teuta dhe Partizani.
Ndërkaq, sipas njoftimit në fjalë, ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen në Tiranë dhe në to ftohen të marrin pjesë Vllaznia, Valbona e Tropojës, Apolonia, Luftëtari, Lushnja, Tomori dhe Bylisi i Ballshit.