Gjergj Vyshka 30.10.2014 19:05
“Durrësi Open” në shah është në prag të startit të edicionit të saj të dytë, që ashtu sikurse dhe vitin e kaluar do të zhvillohet në mjediset e Hotel “Bleart” pranë Shkëmbit të Kavajës. Ky turne, atje ku sipas Sekretares së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi, ka të regjistruar rreth 70 shahistë dhe do të luhet me 9 ture, ndërsa gjithçka përfundon më 8 nëntor. Sipas programit, ceremonia e hapjes do të zhvillohet më 1 nëntor në ora 15:30.
Ndërkohë që për fituesit janë parashikuar 8,500 euro për çmimet. Vendi i parë dhe fituesi i turneut do të marrë 1,500 euro, vendi i dytë 1,200 euro, vendi i 3-të 800 euro, vendi i 4-t 700 euro, vendi i 5-të 600 euro, vendi i 6-të 500 euro, vendi i 7-të 400 euro, vendi i 8-të dhe i 9-të 300 euro, i 10-ti, i 11-ti dhe i 12-ti 200 euro, si dhe vendi i 13-të, i 14-të dhe i 15-të 100 euro. Sakaq vendi i parë për femra përfiton shpërblimin prej 200 euro, kurse i dyti 100 euro.
Për të rinj, datëlindja 1993, vendi i parë do të marrë 150 euro dhe i dyti 100 euro. Vendi i parë, i dytë dhe i tretë, 0-2000 ELO, shpërblehet me 200, 150 dhe 100 euro. Kurse për klasifikimin nga 2000-2200 ELO vendi i parë, i dytë dhe i tretë do të marrë 200, 150, 100 euro. Organizatorët e aktivitetit kanë garantuar pjesëmarrjen e të paktën 20 Mjeshtërve të Mëdhenj Ndërkombëtarë, apo dhe Mjeshtërve Ndërkombëtarë. Pjesëmarrja në garë është 25 euro për shahistët me tituj, si dhe 15 euro për Nën-18-vjeçarët, ndërsa afati i fundit është 1 nëntori, ora 12:00.
Kësisoj turneu ndërkombëtar i shahut “Durrësi Open” është gati për start që nga e shtuna.