Gjergj Vyshka 08.02.2015 14:10
Federata Shqiptare e Shahut zhvilloi asamblenë e saj në të cilën u bë e ditur se është shumë pranë ngritja e një akademie për të rritur dhe zhvilluar talentet e reja në këtë sport. Gjithashtu brenda muajve të parë të këtij viti do të nisë të bëhet realitet futja e shahut në shkolla. Presidenti i Federatës, Rezart Taçi, tha se këto projekte ambicioze, jo vetëm do të bëhen realitet, por do të sjellin edhe rezultate të shumëdëshiruara. “Ne kemi një pasuri mes nesh, ne kemi shahistë dhe trajnerë të shkëlqyer të cilët meritojnë vlerësimin tonë dhe padyshim falënderimin tonë”, – u shpreh presidenti i Federatës, Rezart Taçi.
“Jam i bindur se projektet tona do të bëhen realitet duke u shndërruar në një nga Federatat më simpatike në Shqipëri sa i takon rezultateve sportive, – ka vijuar ai. – Për të arritur objektivat tona jemi duke menduar që në këtë stad do të jetë e nevojshme zgjerimi i stafit të Federatës për t’i dhënë një frymëmarrje dhe rikonceptim efikas dhe modern punës organizative dhe koordinimit midis klubeve tona. Ambiciet tona janë të mëdha dhe janë të mbështetura mbi projekte reale. Janë të mbështetura mbi përpjekje që zhvillohen përditë nga njerëz të pasionuar që punojnë me shahun.”
Presidenti i Federatës vlerësoi gjithashtu edhe punën e deritanishme, përkushtimin dhe pasionin e të gjithë komunitetit të këtij sporti dhe sidomos shahistëve dhe trajnerëve. “Janë organizuar me sukses kampionatet kombëtare për të rinj, si dhe kampionatet kombëtare për femra dhe meshkuj. Një arritje mjaft e rëndësishme është edhe organizimi për dy vite rresht i kampionati kombëtar të shkollave si një fazë embrionale e futjes së shahut në shkollë, duke e afruar me tej finalizimin e këtij objektivi, me nënshkrimin e marrëveshjes fillestare me FIDE”, – tha Taçi.
Ndërkaq, Drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimit Gjonaj, u shpreh se Federata e Shahut është një nga federatat më të mira që ka vend. “Është një nga federatat e mira që kemi ne, që e vlerësojmë ndër federatat pararojë për punën që bën dhe zhvillimin e një numri të konsiderueshëm të aktiviteteve sportive. Dhe ne si ministri jemi munduar që ta mbështesim këtë sport”, – tha Vladimir Gjonaj, drejtori i sporteve në ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Federata Shqiptare e Shahut do të kërkojë që kampionati i ardhshëm evropian i vitit 2016 të zhvillohet në Shqipëri.
http://news.albanianscreen.tv/pages/news_detail/87263/ALB#Xchiu